Thursday, April 17, 2025
HomeBlogFitore e madhe nga Feronikeli ’74, triumfon ndaj Prishtinës

Fitore e madhe nga Feronikeli ’74, triumfon ndaj Prishtinës

Prishtina kishte ecuri prej tetë ndeshjeve në të gjitha garat pa pësuar disfatë. 

Përfshirë edhe suksesin në Kupën e Kosovës, kishte tri fitore e katër barazime në këtë ecuri pozitive të rezultateve. 
Por të dielën është befasuar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, pasi u mposht nga Feronikeli 74. 
Skuadra nga Drenasi fitoi me rezultatin 1:0, dhe ishte vetëm fitorja e dytë e edicionit aktual në Superligën e Kosovës. 

Feronikeli 74 ndërkohë e regjistroi edhe ndeshjen e katërt pa pësuar disfatë. 

Fitoi ndaj Suharekës në ligë e ndaj Istogut në Kupë, ndërsa barazoi në xhiron e kaluar me Malishevën. 

Golin e fitores ndaj “bardhekaltërve” në xhiron e 170-të, e shënoi greku Nikolaos Ioannidis. 

Në minutën e 22-të, Hasan Hyseni goditi fillimisht. Topi u bllokua por mbeti në zonë, ndërsa Ioannidis ishte i saktë me gjuajtje për 1:0. 

Në minutën e 72-të, Armend Gashit të vendësve iu anulua goli për 2:0.  Ndërkohë, Prishtina mendoi se fitoi penallti në minutën e 80-të. 

Por njësoj si goli i anuluar, edhe penalltia u anulua pas rishikimit të situatës në VAR dhe rezultati më nuk ndryshoi. 

Pas 17 ndeshjeve Prishtina mbetet në pozitën e katërt me 26 pikë, një më shumë se Suhareka e pesta. 
Feronikeli 74 arrin pikët dyshifrore, por mbetet në pozitën e fundit. 

Në vendin e dhjetë, Feronikeli 74 ka 10 pikë, shtatë më pak se Llapi e Ferizaj në vendin e tetë e të nëntë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular